15.04.2025 - AKTIVITET TRAJNUES: “Pavlefshmëria e vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake”

Shkolla e Magjistraturës, më datë 15 prill 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Pavlefshmëria e vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake. Mosrespektimi i dispozitave lidhur me njoftimin e të pandehurit dhe pezullimin e gjykimit në seancë paraprake, efektet mbi gjykimin e themelit. Kompetencat e gjyqtarit të themelit për konstatimin e pavlefshmërisë, detyrimi i vazhdimit të gjykimit të themelit pavarësisht elementëve të pavlefshmërisë së vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake. Praktika gjyqësore dhe qëndrimet e Gjykatës së Lartë në rast të referimeve për konfliktin e kompetencave midis gjyqtarit të themelit dhe gjyqtarit të seancës paraprakepranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Sandër Simoni dhe Nurjeta Pogaçe 

Lehtësuese: Erlanda Agaj

Qëllimi i këtij trajnimi është: Të aftësohen magjistratët në zbatimin korrekt dhe sipas qëndrimeve të Gjykatës së Lartë, të dispozitave procedurale penale që lidhen me seancën paraprake, njoftimet për të pandehurin, konfliktin e kompetencave dhe raportin midis vendimmarrjes së gjyqtarit të seancës paraprake dhe atij të themelit.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Kuptimi i “kompetencës – gjykatës së caktuar me ligj” sipas GJEDNJ; Kompetenca dhe juridiksioni; Llojet e kompetencave;
  • Kuptimi i koncepteve gjyqtari natyral, primi perpetuatio iuridictions, perpetuatio fori, jus cogens, tej çdo dyshimi të arsyeshëm, 
  • Disponimet për shkak të moskompetencës (gjatë hetimeve paraprake, gjatë gjykimit); kur ngrihet moskompetenca, procedimet e lidhura; Provat e marra nga një gjykatë jokompetente; Masat e sigurimit të vendosura nga një gjykatë jokompetente
  • Rregulli i përparësisë në kompetencë të gjykatave të specializuara (të miturit);
  • Rastet kur lindin më së tepërmi konfliktet e kompetencave midis gjyqtarit të seancës paraprake dhe gjyqtarit të themelit;
  • Rastet e pavlefshmërisë së gjyqtarit të seancës paraprake sipas K.Pr.Penale të Shqipërisë dhe sipas K.Pr.Penale të Italisë (dallimi midis tyre);
  • Praktika e Gjykatës së Kasacionit të Italisë lidhur me të drejtën e gjykatës së themelit të deklarojë pavlefshmërinë vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake ose të kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq pa asnjë lloj njoftimi prokurorit, si e vetmja mundësi për të ndërhyrë tek prokurori (jovendimmarrje abnorm);
  • Praktika e Gjykatës së Kasacionit të Italisë lidhur me rastet e tjera kur nuk përbëjnë vendime të pavlefshme (mungesa në vendim e shtrirjes kohore dhe hapësinore të faktit penal);
  • Efektet e pavlefshmërisë së vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake në padinë civile;
  • Kuptimi i njoftimit të të pandehurit për pjesëmarrje në gjykim dhe mënyrat e njoftimit; Dallimi midis deklarimit të ikjes dhe vendimi i mosgjetjes;
  • Identifikimi i normave të zbatueshme për njoftimin e të pandehurit; Standardet e GJEDNJ-së lidhur me praninë e të pandehurit në gjykim;
  • Qëndrim i Gjykatës Kushtetuese lidhur me njoftimin e të pandehurit për të marrë pjesë në gjykim;
  • Qëndrim i Gjykatës së Lartë lidhur me njoftimin e të pandehurit për të marrë pjesë në gjykim.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.